Altintop, gati me Portugalinë
Hamit Altintop do të jetë gati për ndeshjen hapëse të Turqisë në
Euro 2008 kundër Portugalisë, të shtunën, në Grupin A, pavarësisht
një dëmtimi të frikshëm. “Po përgatitem për ndeshjen”, u shpreh
Altintop në një konferencë për shtyp në bazën stërvitore pranë
Gjenevës. Mesfushori 25-vjeçar u kthye të luajë në miqësoren
kundër Uruguait më datë 25 maj, pas një mungese dymujore si pasojë
e thyerjes së kockës në njërën këmbë. Klubi i tij, Bajerni i Mynihut,
kishte bërë të ditur të shtunën se lojtari pësoi një tërheqje gjatë stërvitjes
dhe se mund të humbiste takimin e parë ndaj Portugalisë.
Çeh do ‘çmim’ ngushëllues
Portieri i Republikës Çeke, Petr Çeh, është gati të lërë pas krahëve zhgënjimin
që pësoi në finalen e Ligës së Kampioneve për t’u përqendruar
në finalet e Evropianit. Çelsi ishte vetëm një penallti larg trofeut më
datë 21 maj. “Në Moskë pësova një zhgënjim, pasi ishim shumë
pranë fitimit të trofeut të Ligës së Kampioneve. Për mua fakti që më
pret një tjetër turne është një avantazh, sepse mund të përqendrohem
te finalet e Evropianit. Kjo do të më ndihmojë që të përballoj zhgënjimin.
Kemi një ekip të mirë dhe mund të arrijmë çerekfinalet, që
janë qëllimi ynë. Më pas të shohim se deri ku mund të shkojmë”.
Nikopolidis: Jo nën presion
Portieri titullar i Greqisë, Antonis Nikopolidis, deklaroi të martën se
skuadra helene nuk ndihet nën presion para nisjes së fushatës
për të mbrojtur kurorën e kampionëve të Evropës. Ylli i Olimpiakosit,
i cili shkëlqeu në Euro 2004, tha se ka një arsye të fortë për
dy rezultatet e fundit zhgënjyese para finaleve të Euro 2008, barazimi
0-0 me Armeninë dhe humbja 3-2 me Hungarinë. “Nuk jemi
nën presion, kemi ardhur për të dhënë më të mirën tonë”, - tha
Nikopolidis. Kishte shumë lojtarë të rinj në miqësoret e fundit. Greqia
do t’i luajë ndeshjet e Grupit D në Salzburg.
Hidink beson te Pogrebniak
Trajneri i Rusisë, Gus Hidink, tha të martën se ai kishte vendosur të
mbante në skuadër për finalet e Euro 2008 sulmuesin e dëmtuar,
Pavel Pogrebniak, duke injoruar këshillat e mjekëve. “Paveli është
duke punuar fort me fizioterapistin e skuadrës, - tha Hidink për
mediat. – Unë besoj se ai ka shanse për t’u rikuperuar dhe për
të luajtur në këto finale. Edhe pse do të humbasë ndeshjen e parë
ndaj Spanjës, unë nuk kam ndërmend të thërras lojtar tjetër për ta
zëvendësuar, - shtoi Hidink. – Jam shumë i kënaqur me punën e bërë
nga lojtarët gjatë fazës përgatitore në Gjermani”.
Ende në dilemë për portierin
Trajneri i Austrisë, Jozef Hickersberger, tha të martën se një
nga portierët e pafat austriakë që do të mësojë të mërkurën se
nuk do të jetë numri 1 i Kombëtares në finale, duhet të
mësojë nga rasti i Oliver Kahnit. Hickersberger është i detyruar
të zgjedhë njërin mes Aleksandër Manningerit dhe Juergen Macho
si portierin titullar, në atë që ai e quajti si vendimin “më të sikletshëm”,
vetëm tri ditë para startit të turneut. “Portieri që do të qëndrojë
në pankinë duhet të marrë Oliver Kahnin si shembull”, theksoi
trajneri, duke risjellë në mendje “betejën” për numrin 1 të Gjermanisë
para finaleve të Botërorit 2006. “Dy vite më parë, humanizmi
i Kahnit ishte me të vërtetë për t’u admiruar, për nga mënyra
se si ai reagoi pasi mësoi nga trajneri Jurgen Klinsman se Jens
Lehmani do të ishte portieri titullar”, shtoi ai.
Kampingu holandez
Përfaqësuesja e Holandës është akomoduar në “Beau
Rivage Palace”, një nga hotelet më të mira në Evropë,
buzë liqenit të Gjenevës, me një panoramë
spektakolare të alpeve franceze përtej ujit. Është
bërë traditë që kombëtarja holandeze të stacionohet
në Lozanë para një kompeticioni të përmasave të
mëdha. Gjithsesi, për trajnerin Marko Van Basten, kjo
do të jetë hera e fundit, pasi në përfundim të finaleve
të Euro 2008, ai do të transferohet te klubi i Ajaksit.
Iniesta përfundon në spital
Mesfushori i Spanjës, Andres Iniesta, përfundoi në spital të martën,
pasi pati probleme me stomakun si pasojë e helmimit. Ylli i Barcelonës
nuk do të luajë të mërkurën në miqësoren e fundit para finaleve
ndaj SHBA-së në Santander, sipas doktorit të skuadrës Horge
Kandel. “Bëmë disa analiza, - tha Kandel. – Iniesta ka pësuar një
helmim nga ushqimi që ka marrë të dielën e kaluar. Sot (dje) ai bëri
disa kura dhe është duke u rikuperuar. Nëse gjithçka shkon mirë, do
të vijë në Santander. Iniesta filloi të villte e të ndjente dhimbje të forta
në stomak të hënën dhe kishte të gjitha simptomat e helmimit. I bëmë
disa analiza në një klinikë dhe gjithçka u vërtetua”. Spanja do t’i nisë
finalet me ndeshjen ndaj Rusisë më datë 10 qershor.
Ronaldo rikthehet në stërvitje
Superstari i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, është stërvitur normalisht
me pjesën tjetër të grupit të martën, një ditë pasi kishte marrë një
goditje të frikshme në kaviljen e këmbës së djathtë. Prezenca e
sulmuesit të Mançester Junajtid në stërvitje ka qenë një lajm i mirë
për trajnerin e finalistëve të Euro 2004, Luiz Felipe Skolari, kur kanë
mbetur vetëm katër ditë nga ndeshja e parë ndaj Turqisë në Gjenevë.
Ronaldo, i cili shënoi 41 gola në të gjitha kompeticionet për Mançesterin
sezonin e fundit, ku “djajtë e kuq” fituan titullin kampion në Angli
dhe Ligën e Kampioneve, luajti në ndeshjen stërvitore në një ekip me
Dekon dhe veteranin Nuno Gomez. Takimi në fjalë u ndoq nga 12 mijë
vetë, që kishin paguar secili nga 16 franga zvicerane.
Tifozët, edhe dhëmbët portokalli
Në Holandë, ethet “portokalli” po rriten gjithnjë
e më shumë. Jo vetëm rrugët, dyqanet,
makinat po ngjyrosen portokalli, por tani
edhe dhëmbët e tifozëve vendës. Në fakt,
një klinikë dentare në Amsterdam, “Dental
Pars”, në bashkëpunim me laboratorin odontoteknik
“Tooth Fashion”, ka zhvilluar një
teknikë të re, nëpërmjet së cilës vendoset
mbi dhëmbë një shtresë e hollë, shpesh një
milimetër, me material termoplastik. Për më
pak se 15 minuta mund t’i kesh dhëmbët të
ngjyrosur me portokalli. “Është një teknikë e
thjeshtë, mjafton të marrësh masën e dhëmbëve,
të bësh një model në allçi dhe të modelosh
sipër saj këtë material special në ngjyrë
portokalli dhe ja ku u bë”, tregon odontotekniku
Yuri Tjon-A-Joe (31 vjeç), i cili ka pasur
këtë ide për të mbështetur tifozerinë holandeze.
“Materiali në fjalë vendoset dhe hiqet
sipas dëshirës, mund të pihet birrë qetësisht
teksa sheh ndeshjen, por është mirë që të
mos konsumohet ushqim me të në dhëmbë,
pasi nuk është higjienike. Ka nga ata klientë
që flenë me materialin e vendosur mbi dhëmbë.
Materiali është rezistues dhe mund të
zgjasë për shume vite”.
Balak, lider njësoj si Oliver Kahn
Një komb i tërë beson te mesfushori 31-vjeçar Mikael Balak.
Ai është kapiteni dhe koka e skuadrës së Joakim Lëvit, gjë të
cilën e vërtetoi më së miri në ndeshjen e fundit miqësore kundër
Serbisë. Shokët e skuadrës e krahasojnë mesfushorin e Çelsit
si udhëheqësin e vetëm të përfaqësueses. “Mikael Balak është
një udhëheqës në fushën e lojës njësoj si Oliver Kahn, duke
filluar që nga paraqitja e deri te dëshira për të fituar. Ai na
motivon gjatë gjithë kohës dhe është një kapiten model”, kështu
është shprehur sulmuesi 22-vjeçar, Lukas Podolski, për
Balak. I të njëjtit mendim është edhe shoku i tij te Bajerni i
Mynihut, Marsel Jansen. “Si Oliver Kahn dhe Mikael Balak
kanë një gjë të përbashkët: ata duan të fitojnë me çdo kusht.
“Balak, lider njësoj si Oliver Kahn”
Gjithnjë. Për ata ka vlerë vetëm vendi i parë”, theksoi mbrojtësi
21-vjeçar, Jansen. Në gusht të vitit 2004, Mikael Balak ka marrë
shiritin e kapitenit pikërisht nga Oliver Kahn me urdhrin e
trajnerit të asaj kohe, Jurgen Klinsman. Ndeshja e parë për të
me këtë shirit ka qenë ajo e zhvilluar në Vjenë kundër Austrisë,
dhe po aty ai kërkon të ngrejë edhe kupën më 29 qershor
me Kombëtaren gjermane. Bashkë me mesfushorin e Verder
Bremenit, Torsten Frings, 31-vjeçari Balak formon dyshen e
mesit të fushës në ekipin përfaqësues. “Bashkëpunimi me
Balak në mesfushë është mjaft i suksesshëm. Tek ne nuk bëhet
fjalë se kush do bjerë më tepër në sy, pasi ne jemi të fokusuar te
suksesi i skuadrës”, deklaroi Frings.
Dua trofeun e kampionit në evropian
Për herë të parë trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim
Lëv, është shprehur haptazi se kërkon të fitojë titullin
kampion Evrope me skuadrën e tij. Kjo do të ishte diçka
historike për të, pasi do ishte titulli i tij i parë që në
turneun e tij të parë, që do të renditej përkrah trajnerëve
kampion bote, Franc Bekenbauer dhe Helmut Shën.
“Pse duhet të mbetemi të kënaqur me vendin e dytë,
kur kemi mundësi të arrijmë më të mirën?”, është
shprehur trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv,
gjatë një konference për shtyp. Kjo deklaratë e Lëvit
nuk vjen pa u menduar, pasi statistikat i japin mjaft të
drejtë trajnerit, i cili në 22 ndeshje në krye të ekipit
kombëtar ka humbur vetëm dy të tilla. Përveç kësaj,
Kombëtarja e Gjermanisë ishte e para që siguroi kualifikimin
për në ndeshjet e kampionatit evropian tri
javë përpara. Vetëm ish-trajneri Jup Derval ka pasur
një koeficient më të mirë përpara një turneu të tillë, ku
në 15 ndeshje përpara evropianit të 1980 nuk humbi
asnjë. Më vonë, Derval u shpall kampion Evrope. Të
njëjtën gjë synon edhe Joakim Lëv.
Dua të jem shënuesi më i mirë i Evropianit
Legjenda e futbollit
francez, Tierri Hanri,
i cili është golashënuesi
më i mirë në historinë
e futbollit francez, ka deklaruar
ditën e djeshme se do të synojë
të bëhet edhe shënuesi më i
mirë i Evropianit. Në ndeshjen
e djeshme miqësore ndaj
Kolumbisë, ish-sulmuesi i Arsenalit
arriti pjesëmarrjen e tij
të 100-të me “gjelat”, dhe ndodhet
në vend të gjashtë përsa i
përket aktivizimit me kombëtaren,
pasi vendin e parë e
mban Lilian Turam që ka luajtur
në 139 ndeshje. Në këto 100
takime, Hanri ka realizuar 44
gola, ndërkohë që pas tij renditet
Mishel Platini me 41, i ndjekur
nga Trezege (34) dhe
Zidan (31). “Ekipi është në një
formë të mirë dhe këtë e kemi
treguar qartë në ndeshjet e fundit
që kemi zhvilluar, ku edhe
pse nuk kemi arritur rezultatin
e kërkuar, kemi bindur me lojën
tonë. Ajo që më jep më shumë
besim për një sukses në Evropianin
e këtij viti, është se kemi
një sulm që kombinohet në
mënyrën perfekte. Loja me
Riberinë dhe Benzemanë është
tepër e kombinuar dhe besoj se
do të shënojmë lehtësisht në
portat e kundërshtarëve. Por
përveç arritjes të një suksesi me
kombëtaren në Austri dhe
Zvicër, do të përpiqem për një
sukses personal. Kam si qëllim
të fitoj “Këpucën e Artë” të Evropianit.
Edhe pse jam shënuesi
më i mirë i Kombëtares
franceze, nuk kam arritur të fitoj
ndonjë çmim, ndaj dua që
shifrave të mia t’u jepet vlera
e merituar”, tha për median
franceze, Tierri Hanri.
Çekia do të jetë surpriza e Evropianit
Huande Ramos beson se favoritë për fitimin e kampionatit
evropian janë sërish të njëjtët, por mendon gjithashtu,
se mund të ketë ndonjë kombëtare surprizë që
mund të fitojë, ashtu si bëri Greqia para katër vitesh. Trajneri
spanjoll i Totenhemit është i bindur se, Kombëtarja
çeke do të bëjë surprizën këtë vit, duke pasur avantazhin
e mungesës së presionit, gjë që i karakterizon kombëtaret
e mëdha. “Italia, Gjermania, Franca dhe Spanja janë gjithmonë
favoritë për titullin, por mua më pëlqen shumë ekipi
i Republikës Çeke, i cili edhe pse mund të mos kenë
emra të mëdhenj në përbërje, përsëri ka lojtarë shumë cilësorë
që zhvillojnë një lojë kolektive - citonte Ramos në
faqja e tij e internetit. - Ata kombinojnë në mënyrë të përsosur
me njëri-tjetrin dhe besoj se ky është kyçi i suksesit
për kompeticione afatshkurtra si Evropiani”.
Kombëtarja vendos të përdorë kuzhinën turke
Ekipi i Kombëtares rumune do të shkojë në Evropianin
e Austrisë dhe Zvicrës duke marrë me vete një kuzhinier
turk që do të servirë për ta kuzhinën tradicionale turke.
Turku Jalan Kadir, është zgjedhur para një jave nga Federata
Rumune e Futbollit si shefi i kuzhinës, i cili do të
përgatitë pjatat më të mira për futbollistët, të cilët do të
luajnë në “Grupin e Vdekjes”. Burime nga federata thanë
se një ndër gjellët kryesore për rumunët e futbollit do të
jetë çorba, që dallohet për thartinë që i jep limoni, ose
salca e specit. “Ushqimi i tij është tepër i shijshëm. Më
pëlqejnë të gjitha recetat që ai përgatit. Janë shumë të
shijshme dhe të pasura”, tha zyrtari i federatës, Dan Bragoanu.
Mbase ky është sekreti pse legjenda të futbollit
rumun, si Xhorxh Haxhi dhe Mirsea Lusesku pjesën më
të madhe të karrierës së tyre e luajtën në Turqi.
Jemi më të mirë se Holanda dhe Italia
Kristian Kivu i ka vënë vetes detyrë që këtë radhë të
udhëheqë kombëtaren e tij drejt suksesit në EURO 2008. Rumania
mungoi në Evropianin e para katër viteve, pasi u eliminua
nga Italia në fazën e ndeshjeve eliminatore, dhe për fatin e
saj të keq, në finalet e Austrisë dhe Zvicrës do të ketë sërish
përballë ekipin italian. Gjithsesi, kryesimi i grupit në ndeshjet
eliminatore, duke lënë poshtë edhe Holandën, si dhe njohja e
futbollit italian, e bind mbrojtësin e Interit dhe Rumanisë, Kristian
Kivu, se kombëtarja e tij do ta kalojë me sukses grupin.
“Po bëhen shumë kohë që nuk kemi marrë pjesë në një kampionat
të këtyre përmasave, por kjo nuk do të na pengojë për të
kaluar grupin - tha Kivu pas stërvitjes së tij të parë në Zvicër, në
stadiumin e “St. Gallenit”. - Jemi një skuadër e re, e cila shkëlqeu
në ndeshjet kualifikuese, ndaj do ta nisim pa frikë aventurën e
Evropianit. Lojën e futbollit italian e njohin mirë një pjesë e
madhe e kombëtares sonë, pasi luajmë në kampionatin e atij
vendi ndaj besoj se nuk do ta kemi të vështirë për të kuptuar
skemat e tyre”, deklaroi Kivu. Lajmet për mospjesëmarrjen e Kanavaros
për Italinë dhe të Vieirasë për Francën në këtë kompeticion
janë parë si lajme ët mira për kombëtaren e Piturkës, por Kivu
është shprehur me keqardhje për këtë fakt. “Më vjen keq për çdo
futbollist që do të humbasë një moment të shumëpritur”.
Kemi me kë ta zëvendësojmë Fabion
Ndonëse ka humbur “një pjesë” të rëndësishme të kombëtares,
Roberto Donadoni nuk mund të bëjë asgjë tjetër
veçse të vazhdojë të shohë përpara me optimizëm.
Ndërkohë, shiriti i kapitenit, që deri dy ditë më parë i
takonte padyshim Fabo Kanavaros, do t’i kalojë
mbrojtësit ekstrem të të ‘kaltërve’ dhe të Juventusit,
Xhianluixhi Bufon. Trajneri i kombëtares së kampionëve
të botës, nuk kërkon ta bëjë një dramë dëmtimin e pësuar
te “galaktikat”, por nga ana tjetër i ka kërkuar atij që të
vazhdojë të jetë pjesë e grupit italian, pasi eksperienca e tij
e madhe në turne të tilla, por edhe serioziteti i tij prej
kapiteni mund të jetë një ndihmë më shumë për shokët e
skuadrës: “Ndonëse do të operohet këto ditë, Kanavaro
do të vazhdojë të ndjekë nga afër shokët e tij të skuadrës.
Besoj se tashmë, do të jetë pikërisht ai, tifozi dhe nxitësi
më i madh i këtij grupi. Zëvendësuesi? Kemi një organikë
shumë kompetitive. Pavarësisht se të gjithë i njohim
cilësitë e shkëlqyera të Fabios, mbrojtësit e tjerë të
përzgjedhur për këtë aventurë gëzojnë cilësitë për të
mbuluar me sukses vendin e lënë bosh nga kapiteni ynë.
Ne jemi Itali dhe kemi një histori për të mbrojtur. Sigurisht
që na duhet diçka më e madhe se një dëmtim për të na
ulur moralin dhe besimin në forcat tona”, deklaron trajneri
i Kombëtares italiane, Roberto Donadoni.
Mbrojtësi, në lot pas incidentit
Pas përplasjes dhe shoqërimit në spital të Fabio Kanavaros,
Xhorxho Kielini nuk i ka frenuar dot lotët, i ndërgjegjshëm për
dëmin e shkaktuar, ndonëse jo me
qëllim. Jo vetëm në momentin e incidentit,
por edhe në ditën e djeshme,
mbrojtësi juventin shfaqte qartë zhgënjimin
për episodin e ndodhur. Ashtu
siç vetë Fabio Kanavaro i ka
shpjeguar atij, se faji i këtij incidenti nuk
ka qenë i tiji, edhe shokët e tjerë të
skuadrës, duke përfshirë këtu edhe
mikun e tij më të ngushtë dhe kapitenin
aktual të italianëve, Xhianluixhi Bufon,
kanë shprehur të njëjtën gjë. “E di që
shpeshherë jam agresiv në fushë, por në këtë rast nuk e
kuptoj ende pse duhet të ndodhte diçka e tillë”, shprehet i
përlotur kundrejt shokëve të tij, Xhiorxhio Kielini.
Platini: Humbje e madhe për Italinë
Dëmtimi i kapitenit të kampionëve të botës, ishte një humbje e
madhe për formacionin e Roberto Donadonit. I të njëjtin mendim
ka qenë edhe kreu i Federatës së
Futbollit Evropian (UEFA-s), Mishel Platini.
“Është diçka shumë e rëndë të
humbasësh një lojtar si Kanavaro për
një kompeticion të tillë. Ndër vite ai ka
qenë një lojtar shumë i rëndësishëm
për këtë kombëtare, por gjithashtu
edhe për klubet në të cilat është aktivizuar,
jo më kot, vitin e kaluar është
zgjedhur si lojtari më i mirë në botë.
Nga ana tjetër, përsa i përket Kielinit,
mendoj se ky episod mund t’i kushtojë
shtrenjtë atij nga ana morale, por një si lojtar profesionist,
duhet t’i japë forca vetes, pasi nëse italianët duan trofeun
evropian, duhet të mbështeten edhe tek ai”.
Mund të vendos rekord të ri 9.60 sekonda
Asafa Pauell i ka bërë një sfidë të re sprinterit xhamajkan,
Usain Bolt, i cili të dielën ka vendosur një rekord
të ri në 100-metërsh, 9.72 sekonda. “Unë e di se
mund të vrapoj dhe të arrij në 9.60 sekonda”, ka
deklaruar atleti tjetër xhamajkan, i cili pavarësisht
sfidës së bërë, nuk i ka kursyer komplimentet për
bashkëkombësin e tij. “Unë jam shumë i lumtur për të.
Bolt është mjaft i talentuar dhe ka punuar shumë për
të arritur gjer këtu. E ka merituar rekordin”. Usain
Bolt, në pistën e Nju Jorkut ka lënë pas kampionin e
botës, Taison Gei, i cili është renditur i dyti me 9"85.
Tani Bolt shpreson të marrë pjesë në Lojërat e Pekinit,
për të fituar aty një medalje të artë, të cilën e
dëshiron më shumë se gjithçka. “Fitorja në këtë ngjarje
të madhe nuk mund të krahasohet me asgjë
tjetër”, ka thënë ai pas garës së të dielës.
Wednesday, June 4, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment