8 arsye për të falënderuar Stiv Meklaren
1 Nuk do të ketë fluks makinash me flamujt e bardhë me kryqin e
Shën Gjergjit që valëviten nga dritaret.
2 Rast i artë për të shijuar futbollin pa dëgjuar këngët “10
bombardues gjermanë”, apo, edhe më keq: “Më mirë të jem
pakistanez se sa turk”.
3 S’ka më “Wags” (gratë dhe të dashurat). Megjithatë, herën
e fundit u paraqitën më mirë se skuadra.
4 S’do ketë më nevojë për të prenotuar vendin në pub që dy
ditë para, apo të shkosh në dyqanin e lagjes e të gjesh në
rafte vetëm sidër me përqindje të ulët alkooli.
5 Mund të shohësh televizor rehat, pa t’u shurdhuar veshët
nga zhurma e madhe që zakonisht shoqëron Anglinë në turnetë
ndërkombëtarë.
6 S’ka shanse të eksitohesh në maksimum gjatë fazës në grupe,
para eliminimit të pashmangshëm në çerekfinale. Anglia ka qenë
skuadër çerekfinalesh, por tani nuk është më aq e mirë.
7 Skocia, Uellsi dhe dy Irlandat nuk kanë bërë më mirë dhe të
paktën Anglia nuk është më keq se Norvegjia, tifozët e së
cilës janë parë në turnetë e fundit me bluza ku shkruhej:
“Sigurisht që jemi m... Jemi norvegjezë”. Pikërisht për të
ndaluar këtë paguhet 5 milionë sterlina Fabio Kapelo.
8 Nuk do ketë gjuajtje penalltish. Gjynah, se ndoshta
Xhon Terri do ta kishte korrigjuar shënjestrën.
Por, nuk do të dëgjojmë më as diskutimin nëse
mund të luajnë në të njëjtën mesfushë Stiven Xherard
dhe Frank Lampard.
Motivimi ynë janë vetëm tifozët
Portieri i Kombëtares së Italisë dhe një nga pikat më të
forta të ekipit, Xhanluixhi Bufon, është i gatshëm për të
dhënë maksimumin e tij dhe për të kërkuar triumfin në
Euro 2008. “Të gjithë jemi gati për të dhënë më të mirën
tonë në një kompeticion të tillë. Nuk do të jetë aspak e
lehtë, por jemi të bindur që nuk do të zhgënjejmë. Ne luajmë
për tifozët tanë, të cilët na shikojnë si diçka shumë të
rëndësishme. Edhe unë kur kam qenë i vogël, i shikoja
lojtarët e kombëtares si diçka të shenjtë dhe prisja maksimumin.
Nuk duhet të bëjmë hapa falsë dhe nuk do të bëjmë
të tillë”, tha portieri i Kombëtares së Italisë dhe i skuadrës
së Juventusit, Xhanluixhi Bufon.
Matjë Flamini vë nën rrezik Patrik Vieiran
Sipas informacioneve, Patrik Vieira mund
të mos luajë për Francën në kampionatin evropian
që pritet të fillojë pas pesë ditësh në Austri e Zvicër. Lojtari
i Interit ka pasur një tërheqje të fortë muskulore në
pulpën e majtë, ditën e premte dhe me gjithë trajtimet e shumta
fizioterapike, stafi mjekësor nuk jep një përgjigje të prerë
nëse veterani i bluve do të luajë apo jo. Nga ana tjetër, edhe
pse nuk është dhënë një përgjigje përfundimtare nga
ana e mjekëve, Domenek ka thirrur në ekip Matjë Flamininë,
duke gjetur në këtë mënyrë zëvendësuesin e mesfushorit.
“Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë deri më datë 8. Ndaj,
për t’i paraprirë çdo të papriture kemi në dispozicion
Flamininë. Gjithsesi, do të presim edhe ca, për të vendosur
më pas nëse do të jetë Flamini apo Vieira lojtari i 23-
të. Është një situatë e vështirë për mua dhe ajo që mund të
them është se Vieira nuk do të jetë në ndeshjen e parë ndaj
Rumanisë”, ka bërë të ditur tekniku. Ditën e djeshme me
ekipin u stërvit edhe blerja e re e Milanit, Flamini, i cili është
dukur i qetë për grumbullimin e tij. “Jam i qetë. Natyrisht nuk
mund të them se jam i lumtur, pasi diskutohet dëmtimi i një
lojtari të madh të skuadrës sonë, por dua të them se do të
jem në stërvitje deri më 8 qershor, pastaj do të shoh se çfarë
do të ndodhë”, u shpreh Flamini. Edhe pse i dëmtuar,
kapiteni i bluve ishte i pranishëm në drekën speciale të
ditës së djeshme, kur ekipin e vizitoi Presidenti i Republikës,
Nikola Sarkozi. Pak momente pas largimit të tij, në kështjellën
ku është akomoduar kombëtarja franceze, mbërritën
edhe familjarët e lojtarëve, të cilët do të jenë pranë yjeve
deri ditën e mërkurë, në orën 18:00, kur skuadra do të fluturojë
drejt Zvicrës për t’u akomoduar. “Ishte ideja origjinale
e trajnerit, i cili vendosi që momentet e fundit përpara
fillimit të kampionatit t’i ndajmë me të afërmit tanë, - thotë
Floran Maluda. - Unë për vete jam shumë i kënaqur me këtë,
sepse do të kem mundësinë të shoh tre fëmijët e mi përpara
nisjes. Është një ide mjaft e mirë, pasi në këtë mënyrë do të
nxjerrim mallin me familjarët tanë dhe kur të shkojmë në
Zvicër do të jemi të tërësisht të përqendruar tek ndeshjet”.
Franca do të kryesojë “grupin e ferrit”
Sipas trajnerit francez të Arsenalit, Arsen Venger, “gjelat” do të
kryesojnë “grupin e ferrit”, pas tyre do të vijë Italia, në vend të
tretë Holanda, duke lënë kështu në fund ekipin ballkanas, Rumaninë.
Venger beson se treshja fantastike e Francës Benzema-
Hanri-Riberi do t’i japin trofeun prestigjioz ekipit të Domenekut.
“Më duhet ta pranoj se nuk kam qenë kurrë më parë kaq
entuziast sa tani për Kombëtaren e Francës. Nëse treshja Riberi,
Benzema, Hanri do të përqendrohen ashtu si duhet, besoj se në
çdo ndeshje Franca do të shënojë tre gola që në pjesën e parë.
Nuk e vë në dyshim se Tierri Hanri do të bëjë paraqitje të mirë në
këtë kompeticion, edhe pse këtë sezon nuk ka qenë në formën e
tij optimale. Më vjen keq që Vieira u dëmtua sërish dhe kësaj
radhe kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i kampionatit, por
gjithsesi jam i bindur se ai i kalon me lehtësi problemet dhe shpresoj
tek një riaftësim i shpejtë i tij. Mbaj mend se kur luante tek Arsenali,
ai kthehej në fushën e lojës edhe atëherë kur mjeku i skuadrës
nuk e kishte parashikuar. Ndërsa përsa i përket takimit final,
them se do të jetë Franca dhe njëra midis Gjermanisë e Spanjës,
pasi mendoj se janë në formë të mirë dhe kanë një lojë kolektive
të organizuar siç duhet”, deklaroi Venger.
Të ardhmen do ta tregojmë që në grup
Trajneri i Kombëtares së Kroacisë, Sllaven Biliç, i kërkoi përkushtim
maksimal lojtarëve të tij, pasi nëse nuk tregojnë formë të mirë që
në ndeshjet e para, atëherë aventura e evropianit për ta do të
përfundojë, edhe pse deri në këtë moment treguan paraqitje
bindëse, madje duke i mohuar Anglisë pjesëmarrjen në këtë kompeticion.
Pas miqësores së fituar 1-0 ndaj Moldavisë dhe barazimit
1-1 me Hungarinë, tekniku Biliç duket paksa i tensionuar.
“Tre nga lojtarët tanë më të mirë duhet të jenë në formën e tyre
optimale në këtë turne dhe pjesa tjetër e grupit të përpiqet të japë
maksimumin e mundshëm, nëse duhet të mendojmë për të kaluar
fazën e grupit. Nuk mund të kapim çerekfinalen pa dhënë më të
mirën që në ndeshjet në grup. Në këto ndeshje dua që tre
‘magjistarët’ tanë, Modriç, Kranjçar e Petriç, të bëjnë mrekullira
në fushën e lojës. Janë sulmuesit më të mirë që ka pasur ndonjëherë
Kroacia, por do ta ndjejmë edhe mungesën e Eduardo da
Silvës që na ndihmoi shumë në fazën e eliminatorëve”, tha Biliç.
Do triumfojmë me futboll të bukur
Mesfushori i Kombëtares së Holandës, Rafael van der
Vart, jo vetëm është shprehur tepër entuziast për
skuadrën e tij, por ai ka deklaruar se ajo do të fitojë,
madje duke luajtur një futboll të bukur, ndryshe nga mjaft
ekipe të tjera. “Gëzojmë një formë shumë të mirë dhe
skuadra jonë është mjaft e fortë. Jo vetëm që do të fitojmë
ndaj skuadrave si Italia, Franca e Rumania, por do ta
bëjmë një gjë të tillë duke zhvilluar një lojë të bukur.
Holanda e ka bërë gjithnjë këtë dhe do të vazhdojë ta
bëjë, ndërkohë që duhet theksuar se më i rëndësishëm,
pa diskutim, është suksesi. Një rrugë e gjatë na pret
përpara, megjithatë jam i bindur se do t’ia dalim me sukses”,
– deklaroi mesfushori i “tulipanëve”, Van der Vart.
Jemi pretendentë për titullin Evropian
Mesfushori i kombëtares së Spanjës, Ksabi Alonso, ka deklaruar
se ekipi ka forcën e duhur për të kërkuar titullin evropian.
“Ne jemi një grup me futbollistë të shkëlqyer, të cilët
luajnë me skuadra prestigjioze në Evropë dhe së bashku
bëjnë një ekip me të vërtetë të fortë. Ndaj, duhet të japim më
të mirën për tifozët tanë, në mënyrë që t’i shpërblejmë me
titullin evropian. Unë mendoj se jemi një prej ekipeve favorite,
prandaj duhet të japim maksimumin për të triumfuar”, –
nënvizoi Ksabi Alonso, i cili kohët e fundit ka qenë në qendër
të zërave të merkatos.
“Rally Albania 2008”, edhe përtej kufijve
Federata Shqiptare e Motorsportit, si në çdo qershor,
edhe këtë vit organizon garën e saj të radhës “4X4 Rally
Albania 2008”. Në edicionin e katërt të kësaj gare, e cila
është futur tashmë në kalendarin ballkanik të aktiviteteve
automobilistike, rrugëtimi zgjat edhe më shumë, shkon
përtej kufijve, në Kosovë. Duke shënuar kështu të parin
aktivitet mbarëkombëtar midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo
mund të konsiderohet dhe si një garë ndërkombëtare, pasi
në të marrin pjesë pilotë jo vetëm nga Shqipëria e Kosova,
por edhe nga Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Bosnja, Italia
dhe Finlanda. Gara është e tipit Rally Raid. Gjatësia e garës
do të jetë 1000 km, nga të cilat 450 km janë etapa speciale.
Itinerari që do të ndjekin pilotët nga data 3 deri më 7 qershor
është: Tiranë-Shkodër-Prishtinë-Prizren-Korçë- Durrës.
Do të jenë rreth 50 mjete 4X4 dhe 50 MottoCross dhe
Quad. Më interesante në këtë garë është se në të gjitha qendrat
e qyteteve ku do të ndalojë gara, do të ndërtohen Parc
Ferme, ku do të parkohen mjetet e garës dhe ato të asistencës.
Edicioni i katërt ka startuar programin ditën e
djeshme me grumbullimin e makinave në sheshin “Skënderbe”
dhe me ceremoninë e hapjes së garës. Fillimisht konkurrentët
e “4X4 Rally Albania 2008” do të lënë Parc Ferme
në orën 09:30 për t’iu drejtuar pikës së startit. Pas dy orësh
pjesëmarrësit do ta nisin aventurën e qershorit nga Bovilla
për ta mbyllur në mesditë në Velipojë.
Wednesday, June 4, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment