Thursday, June 5, 2008

Lajme Sportive Nderkombetare 7

Trajnerët: Fiton Franca

Joakim Lëv (Gjermani): “Ne bëjmë pjesë në rrethin e skuadrave
pretendente. Këtë gjë e kemi vërtetuar gjatë kampionatit botëror, si edhe
me kualifikimin mjaft të suksesshëm për në Evropian. Për mua padyshim,
që në rrethin e kandidateve kryesore për fitimin e titullit kampion Evrope
bëjnë pjesë Franca dhe Italia. Gjithsesi, në Evropian çdo skuadër ka
shanse të barabarta të mundë një ekip tjetër. Kualiteti është shumë i lartë
dhe të gjitha skuadrat janë shumë pranë njëra-tjetrës përsa i përket nivelit”.

Rajmond Domenek (Francë): “Ne do të shkojmë në
Austri dhe Zvicër për ta fituar këtë kompeticion, pasi jemi në
gjendje ta arrijmë një gjë të tillë. Ne do të shpallemi
kampionë Evrope në fund të muajit. Unë jam i mendimit se
skuadra e trajnerit Joakim Lëv mund të jetë finalistja jonë e
mundshme më 29 qershor në Vjenë, pasi ajo ka një grup të
lehtë për të kaluar”.

Oto Rehagel (Greqi): “Ne duhet të prezantohemi në Evropian si fituesit në
fuqi dhe të tregojmë që në 2004-n nuk ishte surprizë shpallja jonë kampione
Evrope. Qëllimi ynë është të kalojmë në çerekfinale, çka është shumë e
mundshme. Ndoshta mund të qëllojmë në shenjë për të dytën herë radhazi.
Nuk ka ndonjë ligj që nuk të lejon të shpallesh për të dytën herë radhazi
kampion Evrope. Ne ia dolëm njëherë mbanë, pse të mos e përsëritim
suksesin tonë?! Për mua favoritet janë Italia, Franca dhe Gjermania”.

Roberto Donadoni (Itali): “Historia e kampionatit evropian
është mjaft e qartë. Shumë shpesh kanë fituar skuadra, të cilat
nuk kanë qenë favorite kryesore për fitimin e titullit si për
shembull Greqia dhe Danimarka. Përveç skuadrës sime, në rrethin
e favoriteve kryesore do renditja përfaqësuesen e Francës dhe
atë të Gjermanisë. Synimi ynë minimal për këtë Evropian është
arritja në gjysmëfinale”.

Slaven Bilic (Kroaci): “Favoritet kryesore për fitimin e
Evropianit për mua janë Gjermania, Franca dhe Italia. Pa harruar
këtu edhe skuadra të tilla si Holanda, Spanja apo Portugalia. Ne
do të bëjmë të pamundurën për ta fituar këtë Evropian. Greqia
na tregoi përpara katër vjetësh se, edhe skuadra të cilat nuk
janë favorite mund ta arrijnë një gjë të tillë. Unë e di që ne jemi
mjaft të fortë”.

Marko van Basten (Holandë): “Për mua favoritja kryesore
është Spanja. Ajo është një skuadër mjaft teknike dhe ka në
organikë lojtarë shumë të zotë, të cilët luajnë në kampionatin
spanjoll dhe atë anglez, që janë edhe dy kampionatet më të forta
në botë. Spanja, ashtu si edhe ne kemi fituar shumë pak në të
shkuarën, por tani unë e shoh shumë para atë. Favoritë të tjerë
janë Gjermania, Franca dhe Italia”.

Josef Hikersberger (Austri): “Për mua favoritja është Italia. Ne
duam të paktën të fitojmë një ndeshje. Ky është objektivi ynë i parë,
pasi kundërshtarët që kemi në grup janë mjaft të fortë dhe me një
kualitet të madh. Unë vetë si lojtar kam fituar gjithnjë nga një ndeshje
në Botëror dhe Evropian, këtë gjë dua ta vazhdoj edhe në këtë
Evropian si trajner. Pasi ta kemi arritur këtë gjë, mund të mendojmë
për çerekfinalen që është synimi ynë dhe njëkohësisht ëndrra jonë”.

Leo Benhaker (Poloni): “Në këtë Evropian për mendimin tim
nuk ka asnjë favorite kryesore. Të gjitha ekipet pjesëmarrës
janë të të njëjtit nivel. Çdo skuadër mund të fitojë kundër një
tjetre. Ajo që do të jetë më vendimtare, është se cila nga
skuadrat do t’i shfrytëzojë më mirë rastet që do t’i krijohen.
Ndërsa përsa i përket Kombëtares polake, synimi ynë është të
arrijmë të paktën në ndeshjet çerekfinale”.

Luis Felipe Skolari (Portugali): “Për mua favorite janë ato
skuadra, të cilat kanë marrë pjesë në pesë, apo gjashtë finale
të kompeticioneve të mëdha. Këtu do të veçoja përfaqësueset
e Gjermanisë, Italisë apo edhe Francës. Unë besoj se
mund të arrijmë në finale, edhe pse na duhet të fitojmë ndaj
kundërshtarëve mjaft të fortë si në grup, ashtu edhe në
ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale.”

Viktor Piturka (Rumania): “Për mua ka një numër të madh
skuadrash, të cilat janë në gjendje ta fitojnë këtë Evropian. Në grupin
tonë, ne jemi ekipi që ka shanse shumë të vogla, por përfaqësuesen
holandeze e kemi mundur gjatë ndeshjeve eliminatore të Evropianit.
Kjo do të thotë se, është një nivel që çdo gjë mund të ndodhë. Ne
mund t’i humbasim të gjitha ndeshjet e Evropianit, por në të njëjtën
kohë mund t’i fitojmë ato dhe të shpallemi kampion Evrope”.

Gus Hidink (Rusi): “Synimi ynë është të luajmë futboll
të një niveli ndërkombëtar, ku bën pjesë edhe ky
kampionat evropian. Është shumë e vështirë për të
arritur një rezultat pozitiv gjatë këtij kompeticioni, pasi
ne kemi një skuadër mjaft të re në moshë dhe pa
eksperiencë, megjithatë do të bëjmë më të mirën për t’u
prezantuar me dinjitet”.

Jakob Kuhn (Zvicër): “Favoritja kryesore për mua është Franca.
Është një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe ka
futbollistë me shumë eksperiencë për një kompeticion të tilë.
”Ndërsa për përfaqësuesen time mendoj që t’i kalojmë me sukses në
ndeshjet me skualifikim direkt, ndërkohë që çdo gjë tjetër do të
ishte një surprizë e këndshme për ne. Jemi vendi organizator dhe të
gjithë presin më të mirën nga ne”.

Lars Lagerbak (Suedi): “Danimarka e fitoi Evropianin në
vitin 1992, ndërsa Greqia e arriti një sukses të tillë katër vjet
më parë. Por ndodh shumë e rrallë që një kompeticion të tillë ta
fitojë një skuadër, e cila nuk renditet ndër favoritet kryesore.
Unë mendoj se një nga skuadrat e mëdha si Italia, Franca dhe
Gjermania mund ta fitojnë këtë Evropian. Synimi ynë është
që të kalojmë fazën e grupeve, pastaj të shohim më tej”.

Luis Aragones (Spanjë): “Unë jam shumë i sigurt në vetvete
se, ne mund ta fitojmë kampionatin evropian. Si kundërshtare
më të rrezikshme shoh kombëtaret e Francës, Italisë dhe
Gjermanisë. Gjithsesi jam i bindur që do të jetë një luftë me të
vërtetë e fortë, pasi pjesa më e madhe e ekipeve janë
pretendentë dhe vijnë të motivuar në një kompeticion të tillë.
E rëndësishme është që të japim më të mirën tonë”.

Karel Brykner (Çeki): “Gjermania të lë përshtypjen e një
skuadre mjaft fortë dhe këtë e ka vërtetuar shpeshherë. Ndërsa
Italia e di si fitohet një kompeticion i tillë. Sigurisht që ka edhe
skuadra, të cilat janë në gjendje të bëjnë ndonjë surprizë në çdo
moment, siç e bëri Greqia në Evropianin e 2004-s në Portugali.
Nuk duhet harruar që edhe Franca është një skuadër shumë të
fortë. Ndërsa synimi ynë kryesor është ta kalojmë në fazën

Fatih Terim (Turqi): “Çdo skuadër është në gjendje të mundë
një tjetër, pasi disniveli është zvogëluar shumë midis tyre. Ndërsa,
përsa i përket përvojës, do rendisja skuadrat e Francës,
Gjermanisë dhe Italisë, të cilat janë në favorite ndaj të tjerave.
Unë jam i sigurt që do të bëjmë një paraqitje mjaft të mirë.
Ne e dimë që do të na shohin më shumë se 75 milionë turq.
Do të ishte një sukses për ne, nëse do kalonim grupin”.

No comments: