Thursday, June 5, 2008

Lajme Sportive Nderkombetare 8

Luis Figo i shtyn luzitanët drejt finales
“I kemi kartat në rregull për të arritur në finalen e Vjenës - ka
deklaruar Luis Figo për agjencinë e lajmeve ‘Lusa’. – Me përkushtim,
vendosmëri dhe pak fat, që është gjithnjë i nevojshëm, Portugalia
mund të synojë majat këtë herë”, vazhdon mesfushori i Interit,
që i ka dhënë lamtumirën Kombëtares pas 127 prezencash.
“Rivalet e mëdha? Të zakonshmet: Italia, Franca dhe Gjermania”,
përfundon Figo. Ndërkohë, s’ka më alarm për Kristiano Ronaldon,
që kishte probleme në kavilje. Simboli i “bandës Skolari” i ka zhvilluar
në maksimum dy seancat e fundit stërvitore, duke dhënë
spektakël në ndeshjen e kontrollit të së martës, që u ndoq nga një
numër rekord prej 12 mijë tifozësh portugezë. Stërvitja e ardhshme
me porta të hapura (në stadiumin e Nojshatel Ksamaksit)
është parashikuar të dielën e ardhshme, 24 orë pas debutimit ndaj
Turqisë. Në sallën e konferencës për shtyp janë paraqitur, Paulo
Ferreira dhe Petit. Është folur për çështjen e Portos, por edhe për
Kristiano Ronaldon, i shpërqendruar disi nga sulmi i Realit të Madridit.
“Ne e shohim të motivuar, në formë, ka shumë dëshirë për të
bërë gjëra të mëdha, - kanë garantuar ata të dy - nuk na duket
aspak që ta ketë mendjen gjetkë e jo në stërvitje”.

Biliç: Mund ta fitojmë ne Evropianin
Trajneri i suksesshëm i Kroacisë, Sllaven Biliç, deklaroi të mërkurën
se skuadra e drejtuar prej tij mund ta fitojë Euro 2008. 39-vjeçari, një
ish-qendërmbrojtës i spikatur pranoi se favoritet janë si zakonisht
Gjermania dhe Italia, por shtoi se skuadra e tij,
e re në moshë nuk i druhet askujt dhe se grupi
i lojtarëve ka potencialin për të shkuar shumë
më larg se paraardhësit e vet në 1996 dhe
2004, ku arritën deri në çerekfinale. “Unë besoj
se jemi aq të fortë sa të pretendojmë për
titullin kampion”, tha Biliç, i cili është përfshirë
thellësisht në këtë fushatë, teksa ka krijuar
edhe himnin e Kroacisë në Euro 2008, këngën
“Çmenduri e zjarrtë”, bashkë me grupin e tij
“Rawbau”, ku ai ka rolin e kitaristit. “Skuadra
është e mirë dhe solide, u kualifikuam në finalet
e Evropianit nëpërmjet një prej grupeve më
të forta dhe mbi të gjitha mundëm Anglinë dy
herë gjatë eliminatoreve. Në letër, favoritët tradicionalë
janë Gjermania, Franca dhe Italia. Mund
të futësh këtu në listë edhe Spanjën e Holandën.
Madje, edhe Anglia do të ishte mes favoritëve...
nëse do të ishte kualifikuar, kuptohet”,
shtoi Biliç, i cili është shndërruar në një idhull të futbollit në
Kroaci, kur pavarësisht një frakture në legen, ai i luajti të gjitha
ndeshjet e Botërorit 1998, ku kroatët arritën deri në gjysmëfinale, për
t’u eliminuar nga Franca, që më pas fitoi turneun.

Van Persi
Robin van Persi tha të mërkurën se ai do të luftonte
për të luajtur 90 minuta të plota me Holandën, kur të nisë
fushata e finaleve të Euro 2008 në Grupin C. “Për momentin
them se jam gati ta bëj një gjë të tillë, por mund të jetë
e vështirë që të luaj 90 minuta të plota - tha Van Persi për
gazetarët në stadiumin olimpik të Lozanës. - Mbase
unë mund të jem i rëndësishëm për skuadrën në
ndonjë rol të caktuar, mirëpo këtë e vendos trajneri. Nëse
do të ishte në dorën time, unë do ta vija veten në formacionin
bazë në 9 nga 10 ndeshje të mundshme. U ndjeva mirë
sot (dje) edhe pse në fund të stërvitjes isha disi i lodhur.
Gjithsesi, kjo është logjike, teksa kjo është më ndryshe
krahasuar me dy javët e fundit. Pastaj, çdo gjë ishte në
kontroll dhe tani duhet të bëj atë çfarë më kërkohet në stërvitje”.
Trajneri Marko van Basten shprehet: “Unë besoj
se ai është nga ata lojtarë që mund ta gjejë shumë shpejt
ritmin e tij. Ai mund të arrijë një nivel të mirë në një kohë
shumë të shkurtër”.

Seitaridis: E meritojmë të jemi kampionët
Greqia ka një synim kryesor në finalet e Evropianit që do të zhvillohet
në Austri dhe Zvicër: të fitojë respekt. Skuadra erdhi nga hiçi
për të fituar Euro 2004, dhe katër vjet më vonë kërkon të vërtetojë
besueshmëri ndërkombëtare. Greqia u rendit
me lehtësi e para në grupin e eliminatoreve,
me 10 fitore në 12 ndeshje, duke grumbulluar
31 pikë, maksimumi i arritur nga 16
skuadrat që u kualifikuan për në finalet e Euro
2008. Renditja e FIFA-s për muajin qershor e
pa Greqinë të pozicionuar në vendin e 8-të
për të tretin muaj radhazi. Mirëpo, sipas
mbrojtësit Giourkas Seitaridisit, grekët kanë
diçka për të vërtetuar. “Në çdo ndeshje ne
duhet të tregojmë se e meritojmë të quhemi
kampionët e Evropës”, tha Seitaridis, i cili festoi
27-vjetorin e tij të lindjes të mërkurën. “Në
këtë Evropian, ne vijmë si kampionët në fuqi
dhe do të ndjejmë shumë presion, sepse
duhet t’u tregojmë të gjithëve se ajo që ndodhi
katër vjet më parë nuk ishte thjesht rastësi”.
Trajneri Oto Rehagel është kritikuar për
faktin se ka aplikuar taktika të dështuara me
një rreshtim shumë mbrojtës. Tekniku gjerman i bëri ndryshime
graduale skuadrës së tij, që nuk arriti të kualifikohej në finalet e
Botërorit 2006 në Gjermani, duke shpresuar të rritë aftësinë e
skuadrës për të shënuar gola me sulmues të rinj.

Portugalia nuk është vetëm Kristiano
Ronaldo dhe Turqia nuk do të fokusohet vetëm
te ylli portugez në ndeshjen e parë të Grupit A
të shtunën, por te skuadra”. Kështu ka deklaruar
sulmuesi i përfaqësueses së Turqisë,
Nihat Kahveçi, të mërkurën për median. “Sigurisht,
që Kristiano Ronaldo bën diferencën.
Ai është padyshim futbollisti i vitit”, u shpreh
Nihat në konferencën për shtyp në Nion pranë
Gjenevës, aty ku skuadra ka bazën stërvitore.
“Kur ke një lojtar që shënon aq shumë gola
dhe që ka fituar Premier Ligën dhe Ligën e
Kampioneve, është e natyrshme që të gjithë të
Nihat: Portugalia s’është vetëm Ronaldo
flasin për të, - vijoi turku. – Mirëpo, nuk mund
të fitosh vetëm me një lojtar. Nuk është vetëm
Kristiano Ronaldo në fushë. Ne i respektojmë
të gjithë lojtarët e Portugalisë dhe nuk mendojmë
vetëm për të”. Mesfushori i Portugalisë
ka qenë në formë të shkëlqyer sezonin e fundit,
duke shënuar 42 gola në të gjitha kompeticionet
për Mançester Junajtedin, ndërkohë që do
të ketë në krah yje të tjerë siç janë mesfushori i
Barcelonës, Deko dhe mbrojtësi i Çelsit, Rikardo
Karvalho. Nihat tha se Portugalia është favorite
për të dalë e para në Grupin A, ku bëjnë
pjesë edhe Zvicra e Republika Çeke.

Pas disa shkëndijave rikthehet paqja
Sikur të mos mjaftonte ndërhyrja që la jashtë Evropianit Fabio
Kanavaron, një veprim të tillë, Xhorxho Kielini e ka shkaktuar
edhe në stërvitjen e radhës kundër Antonio Kasanos. Pas një
episodi të tillë, sulmuesi barez i Sampdorias ka ngritur zërin
kundër mbrojtësit juventin, duke ndezur kështu një dialog të ashpër
ndërmjet tyre. Mirëpo, ky moment nuk i ka pëlqyer aspak
trajnerit Roberto Donadoni, i cili ka ndërhyrë menjëherë për ta
shuar këtë debat. Ndërkohë që ditën e djeshme, stërvitja e italianëve
ka startuar me një përqafim ndërmjet dy “grindavecëve”,
në fund të së cilës të dy lojtarët janë ndalur nga Roberto Donadoni,
për të biseduar së bashku për pak minuta. Gjithsesi, pas
stuhisë, duket se në Kombëtaren italiane tashmë është vendosur
përfundimisht paqja.

Përfundon me sukses operacioni për italianin
Ka zgjatur pak më shumë se 30 minuta operacioni
i kapitenit të Kombëtares italiane, Fabio Kanavaro,
i bërë në një nga klinikat e Vjenës, pas një dëmtimi
të pësuar tri ditë më parë në kaviljen e këmbës së
majtë. Dhe lajmi i mirë nuk ka vonuar të vijë, kjo
ndërhyrje kirurgjikale ka përfunduar me sukses.
Ndërkohë, bëhet e ditur edhe koha që i duhet
mbrojtësin për t’u rikuperuar. Sipas mjekut të kampionëve
të botës, profesor Andrea Ferretit, Kanavaro
do t’i rikthehet rregullisht stërvitjes pas dy muajsh.
“Jam shumë i lumtur që operacioni im ka përfunduar
me sukses. Tashmë, do të jem i impenjuar duke
motivuar dhe ndjekur nga afër shokët e mi, por
ndërkohë do të rifilloj edhe fazën riaftësuese”, ka
thënë Fabio Kanavaro, pasi ka lënë klinikën në Vjenë.

215 mijë euro për lojtar, në rast suksesi
Tashmë që edhe telenovela e kontratës së Donadonit është zgjidhur,
Xhixhi Riva, menaxheri i përfaqësueses italiane së bashku me
“sindikalistët” e kësaj skuadre, Alesandro Del Piero, Fabio Kanavaro,
Xhixhi Bufon e Xhenaro Gatuzo, po trajton edhe çështjen e
premiove që secili lojtar i këtij grupi do të përfitojë në rast suksesi.
Ndonëse, kjo çështje është lënë disi pas dore për shkak të dëmtimit
të Kanavaros, bëhet e ditur se ajo do të zgjidhet patjetër përpara
debutimit në këtë kompeticion më 9 qershor, kundër Holandës. Gjithsesi,
shifrat për suksesin në Evropian variojnë nga 215 deri në 250
mijë euro për lojtar. Ndërsa, në rast se skuadra e përfundon këtë
garë në vend të dytë, atëherë do të jepet gjysma e kësaj shume
(120 mijë euro). Përveç këtyre, thuhet se për çdo kalim turi, secili
nga kampionët e botës do të përfitojë 15 mijë euro.

Francën e vërtetë, në tri ndeshjet e para
Edhe njëherë, trajneri i K o m b ë t a r e s
franceze, Rejmond Domenek, është dukur me humor
të mirë pas paraqitjes së bërë nga të përzgjedhurit e tij
në ndeshjen ndaj Kolumbisë. Edhe pse fituan vetëm me një
gol të shënuar, drejtuesi i pankinës frënge iu gëzua
mbrojtjes së mirë të futbollistëve të tij dhe faktit që asnjë
prej tyre nuk u dëmtua. Edhe pse gjatë 90-minutëshit
të luajtur nuk u dhurua spektakli i pritur, për Domenekun
ai stil loje i jep siguri të madhe për një sukses në Evropian.
“Nuk u dëmtua as edhe një lojtar dhe kjo është më e
rëndësishmja. Megjithëse pati ndërhyrje të ashpra në disa
raste, për fatin tonë të mirë, listës së të dëmtuarve nuk iu
shtua ndonjë emër i ri. Dhe kjo është mjaft e rëndësishme.
Diçka tjetër po kaq e rëndësishme është edhe fakti që
fituam, ndonëse nuk qe një takim i lehtë. Edhe ndeshjet e
Evropianit të vështira do të jenë, por do të kenë vlerë
vetëm në rast se i përfundojmë me rezultat të njëjtë si
kjo me Kolumbinë”, u shpreh ish-tekniku i Lionit. Edhe pse
“gjelat” kanë shënuar vetëm tre gola në tri ndeshjet përgatitore
para se të udhëtojnë drejt Zvicrës dhe kanë filluar
të hidhen dyshime për një sulm të vakët të bluve, përsëri
Domenek beson se djemtë e tij dinë të krijojnë rastet e duhura
për ta kthyer në avantazh të tyre ndeshjen dhe duhet
veç të tregohen më të qetë përpara portës dhe të kenë
më tepër fat. “Në tri miqësoret e fundit kemi bërë gjuajte
për gol me bollëk kundër skuadrave solide, të cilat janë
mbrojtur në mënyrë të përkryer. Kjo mund të konfirmohet
nëse shohim përqindjen e golave në raport me shanset e
krijuara. Besoj se në Evropian nuk do t’i shpërdorojmë
rastet për të shënuar dhe uroj të kemi më tepër fat. Dua t’ju
siguroj se Francën e vërtetë do ta shihni që në tri ndeshjet e
para të grupit”, përfundoi kreu i pankinës franceze.

Rumania, me sytë tek Adrian Mutu
“Fenomeni”, siç thirret nga tifozët e Fiorentinës, është shpresa e
gjithë rumunëve për një sukses të skuadrës së tyre në Evropianin
e Austrisë dhe Zvicrës. Pavarësisht luhatjeve të shumta në karrierën
e tij, sezonin që sapo përfundoi Adrian Mutu ka treguar një
formë të jashtëzakonshme. 29-vjeçari ka shënuar për violët 17
gola, duke i siguruar kështu skuadrës së drejtuar nga Prandeli një
vend për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. “Tani, ai ka
gjetur stabilitetin, ka arritur pjekurinë dhe ka përvojën e duhur për
të bërë një paraqitje të mirë në Evropian”, është shprehur tekniku i
Rumanisë, Viktor Piturka, për “fenomenin”. Ndërkohë që presidenti
i Federatës Rumune të Futbollit, Mirka Sandu, e ka përkufizuar sulmuesin
Mutu një lojtar të jashtëzakonshëm. “Për mua, ai është sulmuesi
më i mirë në botë, i aftë të bëjë diferencën në çdo moment,
duke treguar në këtë mënyrë klasin e lartë që e karakterizon”.

Ndaj Francës, me mbrojtje të fortë
Edhe pse në ndeshjen parapërgatitore ndaj Malit të Zi fitoi me
rezultat të pastër 4-0, përsëri trajneri i Rumanisë ka kritikuar
mbrojtjen e tij, madje, për ndeshjen me Francën, Piturka mendon
të ndryshojë planet e lojës për një përforcim të mbrojtjes. “Nuk u
kënaqa aspak me lojën e bërë me Malin e Zi, pavarësisht se
fituam me rezultat të thellë dhe nuk pësuam gol. Të katër
mbrojtësit që mendoja se do t’i kisha titullarë ndaj Francës, bënë
një lojë të varfër, kështu që më bënë të ndryshoj mendje. Tani më
duhet të planifikoj një tjetër skemë loje, në mënyrë që të mos
biem viktimë në ‘grupin e hekurt’. E vetmja gjë që më ngrohu në
miqësoren me Malin e Zi ishte sulmi, që nuk diti të falte përpara
portës”, tha trajneri i Rumanisë Piturka, i cili synon që të kalojë
me sukses fazën në grupe, pavarësisht se do të ketë përballë
kundërshtarë si Italia, Franca dhe Hollanda.

Të gjithë dëshirojmë të fitojmë
Pas fitores 1-0 të Francës ndaj Kolumbisë, mesfushori
dinamik i bluve, Frenk Riberi, u shpreh për televizionet
franceze se dëshira e skuadrës është të fitojë kampionatin
evropian. Ishte pikërisht ky lojtari më në formë i “gjelave”,
që bëri dhe zhbllokimin e rezultatit, duke i dhënë fitore
skuadrës së Domenekut në miqësoren me përfaqësuesen
e Kolumbisë. Mesfushori i avancuar i Bajernit të Mynihut
tha se gjatë asaj ndeshjeje kishte marrë një goditje të
lehtë në kavilje, por siguroi se “do të kujdesej për veten
për të qenë i gatshëm ndaj Rumanisë”. Edhe mbrojtësi
qendror, Uilliam Gallas, pas fitimit të miqësores me
Kolumbinë u shpreh mjaft optimist për fitimin e kampionatit,
pasi, sipas tij, Frenk Riberi do të udhëheqë
grupin drejt finales së madhe. “Besoj se është dëshira
e të gjithëve që të fitojmë kampionatin evropian. Mirëpo
kjo s’ka për të qenë fort e lehtë, pasi ka edhe skuadra
të tjera që shpresojnë të njëjtën gjë. Por avantazhi
ynë është se kemi një Frenk Riberi në maksimumin e tij,
shpirti i garës së të cilit do t’i frymëzojë të gjithë në
fushën e lojës”, theksoi Gallas. Në ndeshjen e parë, ekipi
i drejtuar nga Domenek do të përballet me Rumaninë
në Zyrih, ndaj së cilës duhet të marrë patjetër një
fitore, për të qenë më i sigurt në ndeshjet e tjera me “të
fortat” e grupit, që janë Holanda dhe Italia, ndaj së cilës
humbën në finalen e botërorit të para dy viteve. “Është e
nevojshme ta nisim me këmbë të mbarë këtë kompeticion.
Edhe pse përballja me Rumaninë do të jetë shumë e
vështirë, duhet t’i fitojmë me çdo kusht tri pikët. Në atë
ndeshje besoj se do të ketë emocione të shumta dhe atmosferë
të jashtëzakonshme”, tha Frenk Riberi, i cili, falë
golit nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 25-të, i
dha Francës fitoren në miqësoren me Kolumbinë.


Do shkëlqej prej suksesit të Spanjës
Fernando Torres, pas një sezoni të suksesshëm me Liverpulin,
tashmë do të jetë i gatshëm për të dhënë maksimumin
e tij edhe në Kombëtaren e Spanjës, në një kompeticion
të rëndësishëm siç është kampionati evropian.
- Pas një sezoni të suksesshëm individual me Liverpulin,
a ndiheni gati për të dhënë më të mirën me Spanjën?
E rëndësishme është që ne të japim të gjithë maksimumin
tonë gjatë kampionatit evropian, pasi është
një kompeticion shumë i rëndësishëm. Unë jam në
një formë të mirë, por nuk varet gjithçka nga unë.
Kemi një skuadër me të vërtetë të fortë, por lufta për
të arritur objektivat do të jetë me të vërtetë e vështirë.
- Mendoni se do të bëni diferencën edhe në Evropian?
E thashë që nuk është aspak e lehtë. Futbolli në
Premier Ligë është mjaft ndryshe, pasi bëhet lojë e
shpejtë, me pasa të shkurtra. Kurse në ndeshjet
me kombëtaren, loja është më e qetë. Aty nuk lejohen
gabimet, ndërkohë që për të shënuar, aksionin duhet ta
ndërtosh gradualisht, me pasa të gjata e vertikale.
- Cila mendoni se është pika më e fortë e kombëtares
suaj? Të gjitha repartet dhe për këtë nuk kam as më të voglin
dyshim. Jemi një nga ekipet më të forta në Evropian. Kemi
lojtarë të shkëlqyer. Mjafton të përmendësh emrat e çdo
reparti dhe bindesh menjëherë. Nuk duhet të harrojmë
se kemi një portier si Iker Kasiljas, mbrojtës si Pujol,
mesfushorë si Iniesta e Fabregas dhe sulmues si David
Vija. Çdo klub ëndërron që të ketë lojtarë të tillë.
- Po ju, mendoni se jeni një element mjaft i rëndësishëm
në kombëtare? Unë do shkëlqej prej suksesit
të Spanjës. Nëse arrijmë të fitojmë titullin kampion
Evrope, unë do jem shumë i rëndësishëm, po aq sa edhe
shokët e ekipit. Rëndësia e një lojtari vihet re vetëm te rezultati
që arrin ekipi.


Shqipëria zbret gjashtë shkallë në renditjen e FIFA-s
Humbja me Poloninë i kushtoi Shqipërisë zbritjen gjashtë
vende më poshtë në renditjen botërore të FIFA-s, të publikuar
vetëm tri ditë para fillimit të kampionatit evropian. Për
muajin qershor 2008, përfaqësuesja jonë renditet në vendin
82-të, me 375 pikë (46 pikë më pak së në muajin maj) duke
pasur para Omanin (81) dhe pas Katarin (83). Në
renditjen specifike të UEFA-s, formacioni i holandezit
Ari Han ndodhet në vendin e 41-të, ku kemi
humbur gjithashtu, 6 vende. Para kuqezinjve
ndodhet Gjeorgjia (40) dhe pas nesh, Islanda (42).
Muaji qershor regjistron edhe renditjen më të keqe
në vitin 2008. Në janar kemi qenë në vendin e 80-të, në
shkurt (73), në mars (74), në prill (76) dhe në maj në
vendin e 76-të. Nga kundërshtarët tanë në eliminatoret
e Botërorit 2010, Portugalia ndodhet në vendin
e 11-të në botë dhe të 9-in në Evropë. Suedia: e
30-ta në FIFA, e 19-ta UEFA; Danimarka (33, 22);
Hungaria (52, 29) dhe Malta (134, 48). E para në renditjen
botërore është Argjentina, ndërsa në podium janë dhe Brazili
(i dyti) dhe Italia (e treta). Përfaqësuesja italiane vazhdon të
jetë skuadra më e mirë në kontinent, duke e ndarë podin me
Spanjën (e dyta) dhe Gjermaninë (e treta).


Media gjermane: Hyka, “Maradona i Ballkanit”
Media gjermane e ka cilësuar Jahmir Hykën, blerjen e re
të Mainc 05, si një nga goditjet e merkatos në Bundesligën 1.
Në një shkrim të publikuar në uebsajtin “fokus online.de”,
20-vjeçari shqiptar është cilësuar si “Maradona i Ballkanit”.
Ndërkaq, menaxheri i klubit të Mainc 05, Kristien Haidel,
ka rrëfyer një prapaskenë gjatë orëve që ishte duke biseduar
me Hykën. “Për të interesoheshin shumë klube, dhe
megjithëse thuhej se ai ishte pranë kalimit te Dinamo e Zagrebit,
kjo nuk është plotësisht e vërtetë, pasi lojtarin për pak sa
nuk na e mori, Mynih 1860 – ka thënë Haidel – Menaxherët
e Mynih 1860 e kishin çuar Hykën për të vizituar stadiumin
“Alianz Arena”, i cili është vërtet mbresëlënës dhe ne patëm
frik se mos Hyka pranonte ofertën e tyre, por në fund ai
zgjodhi skuadrën tonë dhe jemi shumë të kënaqur për këtë”.


Selltiks-Lejkërs, përsëritet historia
Përballja parë ka qenë thuajse gjysmë shekulli më parë. Ishte
4 prilli i vitit 1959, ditë e shtunë kur Lejkërs dhe Boston
Selltiks ndesheshin për herë të parë në një sfidë për NBA-në.
Kjo ishte e para sfidë mes dy skuadrash që sot do të luftojnë
edhe një herë për titullin e kampionëve të NBA-së. Një finale
mes dy skuadrave që kanë bërë histori, dy skuadrash që
asnjëherë nuk i kanë munguar kampionët. Do të jetë edhe
një herë sfidë mes mitesh si Lerri Bërd dhe Mexhik Xhonson.
Ata kanë qenë në fushë 21 vite më parë kur Boston për herë
të fundit arriti në finale. Atëherë Los Anxheles fitoi titullin.
Për basketbollin profesionist amerikan, kjo është një finalja
perfekte, një ndeshje, të cilën të gjithë e kishin ëndërruar në
fillim të sezonit. Në play-off Los Anxheles është admiruar
më shumë se Bostoni. Selltiks ka mbledhur mesatarisht 96
pikë në shtëpi kundër 85 pikëve në ndeshjet në transfertë.
Në sezon, Lejkërs, skuadra e Konferencës së Lindjes është
në avantazh me 32 pikë. Lejkërs mund të mbështeten fort në
lojën e Brajant, ndërsa Boston ka në favor faktorin fushë dhe
do t’u duhet të ulin disi ritmin dhe të kenë kujdes nga sulmi
i LA që është më i forti në play-off-et e NBA-së. Por ndryshe
nga Lejkërs, Selltiks kanë mbrojtjen më të mirë.

Rajon Rondo vs Derek Fisher
Të dy mund të jenë një nga surprizat e ndeshjes. Fisher ka
eksperiencën e liderit dhe është i fortë në gjuajtjet e tij. Për
Rondon, ky është viti i parë si titullar dhe gjuajtjet janë ‘thembra
e Akilit’. Ai është shumë i talentuar dhe gjithashtu, një atlet i
vërtetë. Objektivi i tij është të shënojë 8-10 pikë, në mënyrë
që të aneksojë Big Three.

Rai Alen vs Kobi Brajant
Kobi është thjesht i pandalshëm, diferenca e vërtetë në këtë
përballje do të jetë në prodhimtarinë e Alen, të cilit do t’i
duhet të mbahet në 15 pikësh, për të bërë që Selltiks të jetë
sa më kompetitive. Mes tyre ka pasur gjithnjë një urrejtje të
thellë, jo vetëm përsa i përket anës sportive, megjithatë kanë
luajtur mjaft mirë kundër njëri-tjetrit.


Vladimir Radmanovic vs Pol Pirs
Pirs është rritur me Lejkërs dhe tani kthehet në Kaliforninë e
Jugut si armiku numër një i publikut. Është në finalen e tij të
vërtetë në NBA dhe do t’i duhet të menaxhojë emocionet që
zakonisht tek ai luajnë rol të rëndësishëm. Nga ana tjetër
është Radmanoviç, i cili nuk ka luajtur ndonjëherë më mirë se
sa muajt e fundit. Do të jetë sukses për të, nëse do arrijë të
lodhë Pirsin, për të sulmuar në momentin e duhur.


Kevin Garnet vs Lamar Odom
KG është njeriu me më shumë “uri” përsa i përket të gjitha
serive në finale. Ai mund të kthehet në një armë shkatërruese
për Lejkërs, por Odom mund ta bëjë të ndihet në vështirësi
nëse do të jetë aq i shpejtë në luftën nën tabelë. Të dy janë
lojtarë fizikisht të ngjashëm, por të kundërt përsa i përket
nivelit teknik.


Kendrik Perkins vs Pau Gasol
Qendra e Bostonit është fortë dhe e ashpër, ndërsa spanjolli
preferon të luajë me klas në çdo ndeshje. Aftësia e Gasolit për
të gjuajtur larg nga koshi mund të bëjë diferencën. Gjuajtjet e
forta të Perkins mund të jenë vërtetë shkatërruese, por mund
të krijojnë edhe probleme për faull, ndërsa ka edhe mjaft
probleme me përqendrimin.
Pankinat përballë njëra-tjetrës
Dok Rivers ka në dispozicion lojtarë të një cilësie të shkëlqyer
si PJ Broun, Sem Kasell, Xhejms Posi e Edie Haus. Gjuajtjet
dhe topat në tabelë janë plus për të. Ndërsa Fil Xhekson
mund të ketë besim te Sasha Vujacic, Ljuk Ualton, Xhordan
Farmar, Roni Turiaf e Trevor Ariza, ndërsa kanë diçka më
pak përsa i përket talentit.

No comments: