Friday, June 6, 2008

Lajme Sportive Nderkombetare 9



Skandal me kokat e Balak dhe Lëv
Shumë media polake po i nxehin shumë gjakrat përpara ndeshjes
së parë midis Gjermanisë dhe Polonisë, që do të luhet ditën e
diel në Vjenë. Gazeta e përditshme polake “Super Ekspres” në
faqen e saj të parë kishte shkruar: “Leo Benhaker na sill në
Poloni kokat e gjermanëve”, ku në një fotomontazh duket mjaft
qartë, trajneri holandez i përfaqësueses polake, Leo Benhaker,
i cili mban në duar kokat e prera të kapitenit dhe trajnerit të
Kombëtares gjermane, Mikael Balak dhe Joakim Lëv. “Kjo është
një gjë shumë e shëmtuar. Me këtë veprim duket se sa njerëz të
sëmurë ka në këtë botë”, ka reaguar menjëherë tekniku i përfaqësueses
polake, Leo Benhaker, i cili ka theksuar më tej: “Dua
të distancohem nga këto fotomontazhe dhe shpresoj që tani të
flitet më shumë për anën sportive”. I të njëjtit mendim me trajnerin
është edhe ish- kapiteni i skuadrës së Shalkes, Tomas
Valdoh. “Kjo nuk është aspak normale. Ne duhet të përqendrohemi
te sporti dhe jo në çështje të tilla”, theksoi Valdoh.

Ne, më të fortë se gjermanët
Kombëtarja kroate ditën e diel do të ndeshet kundër vendit organizator që është Austria. Por
lojtarët kroatë mendojnë më shumë për ndeshjen e dytë kundër Gjermanisë. “Ne jemi më të
fortë se Kombëtarja gjermane”, është shprehur mesfushori i skuadrës ukrainase të Shahtjar
Doneck dhe i përfaqësueses kroate. Ndërkohë që mbrojtësi i Hertës së Berlinit, Josip
Simuniç, nuk i jep asnjë shans Kombëtares austriake. “Ne jemi shumë të më të fortë se
Austria dhe ata do e kenë shumë të vështirë kundër nesh”, deklaroi mbrojtës Simuniç.

Forma e skuadrës sa vjen e rritet
Të mërkurën në mbrëmje kombëtarja gjermane ka fituar
në një ndeshje testuese kundër një përfaqësueseje zonale
në Zvicër me rezultatin e thellë 8-0. Paraqitja e mirë e
treguar në këtë testim, si edhe gjatë seancave stërvitore e ka
gëzuar jashtë mase teknikun e përfaqësueses gjermane,
Joakim Lëv. “Po pres me padurim fillimin e kampionatit
evropian. E ndjej në çdo seancë stërvitore dëshirën dhe
kokëfortësinë e lojtarëve për të fituar diçka në këtë kompeticion.
Kjo gjë më jep shumë fuqi dhe optimizëm”, është shprehur
trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, i cili sheh
një përmirësim të ndjeshëm te lojtarët e tij gjatë ditëve të fundit.
“Skuadra po lë dita-ditës një përshtypje mjaft të mirë.
Jam shumë i gëzuar që nuk kemi asnjë lojtar të dëmtuar. Jam
shumë i kënaqur dhe u lumtur gjithashtu, për mënyrën se si
kanë shkuar gjërat deri tani. Optimizmi im bazohet te forma
në rritje që po tregojnë lojtarët e skuadrës. Miroslav
Klose gjendet në një formë shumë të mirë dhe ndjehet
shumë i ‘uritur’ për të fituar. Përveç tij më duhet t’i bëj një
kompliment mjaft të madh Mikael Balak edhe mesfushorit
Torsten Frnigs, i cili është kthyer në një formë mjaft të mirë për
Evropianin, pasi në tre muajt e fundit ka pasur shumë dëmtime”,
ka lavdëruar Joakim Lëv lojtarët e skuadrës së tij.

Në Greqi duan sërish titullin
Trajneri i Kombëtares së Greqisë, Otto Rehagel, ka deklaruar se në Greqi
shpresojnë se kombëtarja do të arrijë të përsëritë Evropianin e vitit 2004, kur arriti
të shpallet kampione e Evropës. “Në vitin 2004 ne luajtëm pa asnjë presion, duke
dhënë më të mirën tonë dhe ia dolëm mbanë deri në fund, duke i surprizuar të gjithë.
Por këtë herë objektivi ynë është ndryshe dhe pikërisht mbrojtja e titullit. Pavarësisht
se është shumë më e vështirë se herën e parë, në Greqi më kërkuan të kthehesha sërish
me trofeun e kampionit. Futbollistët janë të gjithë të motivuar për të dhënë më të
mirën e tyre dhe në fakt kanë besim te potenciali i tyre. Shpresoj që gjithçka të shkojë
ashtu si duhet dhe t’i dalim mbanë sërish”, tha trajneri i Greqisë, Rehagel, i cili
arriti të bëhet hero në vendin helen, pas atij triumfi të katër viteve më parë.

Do jem unë, goleadori i Portugalisë në Evropian
Sulmuesi i skuadrës së Benfikës dhe i Kombëtares
së Portugalisë, Nunjo Gomesh, ka premtuar se do
të jetë ai personi që do të marrë përsipër të shënojë
golat për kombëtaren e tij. “Jam në një formë të mirë
fizike dhe kjo mund të jetë hera e fundit që luaj në
Evropian me një ritëm të tillë. Dua të shënoj sa më
shumë dhe besoj se do të jem unë goleadori i kombëtares.
Të gjithë do të ruhen nga Kristiano Ronaldo,
por ai nuk është vetëm një shënues i shkëlqyer,
por edhe një pasues po aq i mirë”, tha sulmuesi
Nunjo Gomesh. Në fakt, trajneri i portugezëve, Luis
Felipe Skolari ka bërë të ditur se do të luajë me një
sulmues të vetëm, pikërisht Gomeshin, i cili do të
mbështetet nga krahët nga lojtarë si Kristiano Ronaldo
dhe Simao. Ky i fundit do të jetë në balotazh për
një vend në formacion me yllin e skuadrës së Portos,
Rikardo Kuarezmën.

Do eliminojmë skuadrat pretendente
Sulmuesi i Kombëtares së Rumanisë, Ciprian
Marika, është shprehur optimist për forcën e
skuadrës së tij, ndërkohë që do të formojë dyshen
sulmuese të kombëtares, sëbashku me Adrian Mutunë.
“Kam besim të madh se Rumania do të arrijë
të kalojë me sukses fazën në grupe, duke eliminuar
dy pretendente për të triumfuar në Evropian.
Nuk do të jetë aspak e lehtë, por ndaj nesh, kundërshtarët
do të luajnë me mendimin se nuk do e kenë
të vështirë fitoren dhe kjo do t’u kushtojë. Jemi të
gatshëm për të zhvilluar një paraqitje sa më pozitive
dhe kemi grupin e duhur të futbollistëve për
ta bërë një gjë të tillë. Kam besim se do t’ia dalim
mbanë”, tha Ciprian Marika, i cili është cilësuar
si partneri i duhur për repartin sulmues të Rumanisë,
përkrah Adrian Mutusë, duke parë edhe cilësitë
e tij. Rumunët do të kenë një sfidë të vështirë pasi në
grup do të përballen me kundërshtarë mjaft të fortë
si Italia, Franca dhe Hollanda. Gjithsesi ekipi i
Piturkës është optimist për të kaluar në fazën tjetër.

Jemi të etur për triumf
Mbrojtësi i Kombëtares së Holandës, Xhon Heitinga, ka deklaruar se këtë herë grupi
është mjaft i motivuar për të fituar, pasi ka kaluar mjaft kohë pa një sukses të rëndësishëm.
“Jemi të gjithë të gatshëm për të triumfuar në Evropian, pasi kombëtarja ka mjaft
kohë pa arritur një sukses të rëndësishëm. Kemi futbollistë të shkëlqyer në ekip dhe do të
arrijmë të marrim maksimumin. E rëndësishme është që gjërat të shkojnë ashtu si duhet
dhe ne do të mundohemi të japim më të mirën tonë, duke qenë një grup sa më kompakt në
fushën e lojës”, tha mbrojtësi holandez, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë për skuadrën
spanjolle të Atletikos së Madridit.

Perrota sheh Botërorin si frymëzim
Simone Perrota mendon se triumfi i Italisë në Botëror do të shërbejë si shtysë
psikologjike, për të përsëritur suksesin edhe në Evropian. “Fitorja në Botëror na dha forcë
dhe vetëdije në potencën e vet. E dimë që këtë Evropian do ta luajmë bashkë me
shumë Kombëtare të tjera, por jemi të bindur në vlerën tonë. Nuk nisem si titullar?
Edhe në Botëror ishte po e njëjta gjë, por si përfundim luajta shumë ndeshje. Sidoqoftë,
secili në mënyrën e tij do të japë kontributin e vet dhe nuk besoj se do të ketë probleme.
Kush do të luajë do ta japë në fushë, ndërsa kush nuk do të luajë do ta bëjë duke
mbështetur shokët, pikërisht siç ndodhi në Botërorin gjerman”. Nuk mund të mos
flitet edhe për Kasanon: “Përse duhet të shqetësohem për Antonion? Ai duhet vlerësuar
për atë që bën në fushë, pasi zotëron cilësi të jashtëzakonshme. Problemi është
se çfarëdo që bën zmadhohet, ndërsa në të vërtetë ai po qëndron i qetë”.

Enigmë mbrojtja anti-Holandë
Tekniku Donadoni ka provuar skemat mbrojtëse anti-
Holandë, në stërvitjen e pasdites së djeshme. Kanë
qenë disa zgjedhjet, që ka dashur të vlerësojë tekniku:
fillimisht, Kielini e Barzali në çift, pastaj Panuçi përkrah
të Barzalit, me Kielinin në të majtë, ndërsa nga ana tjetër
Materaci e Gamberini. Kështu duket se tekniku i kaltër
s’ka vendosur ende përfundimisht se ç’lojtarë do
të aktivizojë.

Mungesat na kanë motivuar më shumë
Sulmuesi i Kombëtares çeke, Milan Barosh ka pranuar se skuadra
duhet të vuajë disa mungesat rëndësishme në formacion, përfshirë
edhe Tomas Roziçkin, gjithsesi, sipas tij nuk do të ndikojnë në ecurinë
e ekipit. “Është e vërtetë që duhet të përballemi me disa mungesa
të rëndësishme, por një gjë e tillë na ka motivuar akoma më shumë
dhe jemi gati për të treguar se mund t’ia dalim mbanë. Kemi lojtarë
mjaft cilësorë, të cilët do tregojnë qartë aftësitë e tyre. Kam besim se
do arrijmë një rezultat të shkëlqyer në Evropian. Nuk do jetë dhe aq e
lehtë, por jemi këtu për t’i kaluar të gjitha pengesat”, tha sulmuesi çek,
Milan Barosh, i cili do të formojë dyshen e repartit ofensiv së bashku
me shtatlartin Jan Koler.

Larson vazhdon të jetë më i miri
Mesfushori i Kombëtares suedeze, i cili aktivizohet në Angli me Uest
Hemin, Fredi Ljunebrg, ka thurur elozhe për sulmuesin veteran Henrik
Larson, i cili është thirrur në Kombëtares suedeze për kampionatin
evropian të këtij viti. “Kombëtarja është në një formë të mirë
dhe ka harmoni brenda grupit. Por, ajo që dua të theksoj është se
Henrik Larson vazhdon të jetë më i miri. Pavarësisht moshës së tij,
Larson do bëjë sërish diferencën në fushën e lojës dhe sëbashku
me Zlatan Ibrahimoviç, është nga sulmet më të rrezikshme të Evropianit.
Aftësia e Larson për të shënuar është me të vërtetë
mbresëlënëse, ndërkohë që arrin të luajë me një ritëm të lartë edhe
për 90 minuta”, ka thënë Fredi Ljunberg.

Mund të mbyll një sezon të paharruar
Mesfushori rus Andrei Arshavin ëndërron të fitojë titullin Evropian me kombëtaren
e tij, duke përfunduar kështu një sezon të jashtëzakonshëm për
të. Pasi arriti të fitojë titullin kampion në Rusi dhe Kupën UEFA me skuadrën
e Zenitit, Arshavin do luajë për të fituar titullin e tretë për këtë vit. “Jam shumë
i lumtur që do luaj me Rusinë në një kompeticion kaq të rëndësishëm dhe në
fakt, nuk dua të marr pjesë thjesht për prestigj. Rusia ka një skuadër shumë
të fortë dhe kemi të gjitha shanset për të arritur një rezultat të shkëlqyer.
Ëndrra ime është që të kthehem në vendlindje me trofeun e Kampionit të
Evropës, duke mbyllur kështu një sezon futbollistik që çdo futbollist do e
ëndërronte. Kam fituar titullin Kampion në Rusi dhe Kupën UEFA, ndërkohë
që me Rusinë, triumfi vlen më shumë se kaq”, tha Arshavin.

Vieira i duhet Francës
Pas kthimit në stërvitje të Patrik Vieirasë, ai që duhet të trishtohej për këtë, është ndier më i lumtur që veterani i Francës u kthye me kombëtaren. 24-vjeçari, Matjë Flamini u la jashtë skuadrës nga Domenek, por pas dëmtimit të kapitenit Vieira, trajneri i “Gjelave” mendoi që ta grumbullonte lojtarin e sapoblerë të Milanit si rezervë në rast të mos-rikuperimit të Vieriasë. Ditën e djeshme, Vieira u bashkua me skuadrën në stërvitje dhe në këtë mënyrë i preu shpresat Flaminisë për të luajtur në Evropian, por ky i fundit nuk është dukur aspak i trishtuar, madje e ka vlerësuar maksimalisht kapitenin. “Është lojtar i rëndësishëm për skuadrën. Uroj që të jetë në gjendje të luajë në të gjitha ndeshjet dhe i uroj fat të gjithë ekipit”, tha Flamini për “L’Equipe”.

Ksavi, i kënaqur me fitoren ndaj SHBA-së
Ksavi Hernandez është i kënaqur me fitoren që mori Spanja ndaj
SHBA-së, falë golit të tij. Për mesfushorin e Barcelonës, rezultatit i
marrë përpara fluturimit drejt Zvicrës, ka vlera të shumta, pasi i
frymëzon djemtë e Aragonesit përsa më shumë fitore në Euro 2008.
“Ndihemi të mrekulluar. Edhe pse na u desh kohë derisa të dilnim në
lojën tonë karakteristike, në pjesën e dytë treguam se dimë të krijojmë
raste në zonën kundërshtare”, tha Ksavi. Ndërsa vetë trajneri
i iberikëve u shpreh i gëzuar për përmirësimet e skuadrës së tij në
muajt e fundit dhe ndeshja ndaj SHBA-së ishte një tregues i mirë i
progresit të lojtarëve. Sipas Ksavi Hernandes, kombëtarja e tij do të
vazhdojë progresin e saj edhe gjatë ndeshjeve të kampionatit evropian,
madje nota më e mirë për vlerësimin e progresit do të jenë
rezultatet e ndeshjeve. “Jemi duke ndjekur filozofinë tonë të të luajturit,
dhe nga njëra ndeshje në tjetrën do të përforcojmë aftësitë
tona derisa të arrijmë nivelin më të lartë”, shtoi ai.

Ksabi Alonso, i gatshëm për Evropianin
Mesfushori spanjoll, Ksabi Alonso, e ka kaluar dëmtimin e marrë
në fund të kampionatit dhe sipas tij, rikuperimi erdhi në kohën e
duhur, për të ndihmuar Spanjën drejt fitimit të Euro 2008. “Ndihem
në një formë të mirë. Pësova një dëmtim të keq që më mbajti për
shumë kohë jashtë fushe, por tani ndihem i freskët dhe më duket
sikur kam luajtur normalisht gjatë gjithë ndeshjeve në kampionatin
anglez - tha mesfushori i Liverpulit. - Dëmtimi më bëri që të kem
një sezon zhgënjyes, por tani ndihem mirë dhe them se jam në
formë të mirë për të ndihmuar kombëtaren time për një sukses në
Evropian. Është momenti ynë i përshtatshëm për të fituar këtë
kompeticion, sepse në sezonin që lamë pas, të gjithë lojtarët e
kombëtares sonë kanë qenë në formë të jashtëzakonshme, mund
të përmend, Torresin, Fabregasin, Vilën, apo edhe Iniestën”,
vazhdoi më tej, Alonso, i cili është pranë kalimit te Juventusi.

Filip Senderos: Ëndrra fillon tani
Mbrojtësi zviceran, Filip Senderos thekson se kombëtarja organizatore
e Evropianit duhet të marrë pikët maksimale në ndeshjen
e parë hapëse të turneut, edhe pse përballë do të ketë një ekip të
vështirë si Çekia. “Është një ndeshje e madhe për ne - tha lojtari
i Arsenalit Senderos. - Është tepër e nevojshme që ta fillojmë me
‘këmbë të mbarë’, pasi në të kundërt do ta kemi shumë të vështirë.
Të gjithë në Zvicër mezi e kanë pritur këtë takim dhe nuk
duhet të zhgënjejmë. I kemi aftësitë e nevojshme për të marrë më
të mirën ndaj Çekisë dhe dëshira e madhe që ka skuadra për të
fituar, do të na e largojë presionin që do të kemi në ndeshjen
hapëse të një kompeticioni kaq të madh”.

Më nacionalist se kushdo tjetër
Trajneri i skuadrës Kombëtare të Turqisë, Fatih Terim, iu përgjigj ditën
e djeshme komenteve të bëra nga novelisti i letërsisë turke, Orhan
Pamuk, i cili e quajti drejtuesin e ekipit turk, ultra-nacionalist. Javën e
shkuar, Pamuk tha për “Der Spigel” se do të mbështesë skuadrën
turke në Euro 2008, edhe pse drejtohet nga Terim. Në krahun tjetër,
Fatih Terim e quajti Pamuk një nacionalist të papërshtatshëm, duke
folur për televizionin turk, “ATV”. “Ai ka thënë se të nacionalizmi i
Terimit e shqetëson atë, por për mua ai është veçse një nacionalist i
papërshtatshëm”, tha ish-trajneri i skuadrës së Milanit, Fatih Terim.

Torres do të jetë ylli i Euro 2008

Portieri i Liverpulit, Pepe Reina, beson se shoku i tij i skuadrës,
Fernando Torres, do të jetë futbollisti që do të shkëlqejë
në kompeticionin e sivjetshëm që fillon ditën e nesërme, në Austri
dhe Zvicër, duke vijuar formën e jashtëzakonshme
që ka treguar në sezonin e tij të parë në Angli. “Fernando Torres
ishte një nga lojtarët më të mirë në Angli dhe jam
i bindur se ai do të jetë edhe ylli i Euro 2008 - deklaroi Reina. - Fernando
është shumë i fortë në mentalitet dhe është lojtari kyç i Spanjës”, vazhdoi
më tej Reina, ndërsa vetë sulmuesi tha: “Edhe pse në ndeshjet e fundit
miqësore nuk kemi bindur përsa i përket golave të shënuar, kemi arritur
të gjejmë një mirëkuptim në fushën e lojës. Këto fitore minimale që kemi
marrë na kanë ndihmuar të gjejmë ritmin e duhur të lojës si dhe na kanë
rritur besimin në vetvete. Duhet shtuar se gjatë kësaj periudhe nuk kemi
pasur asnjë dëmtim dhe kjo është e rëndësishme, sepse edhe ndeshjen e
parë kemi një ekip të fortë dhe dinamik si Rusia, ndaj të cilës duhet një
skuadër e fortë për të fituar”.

Cana, i katërti në Evropë në votimin e tifozëve
Tifozët e kanë vlerësuar Lorik Canën si lojtarin e katërt më të
mirë në Kontinentin Evropian. Në sondazhin e uebsajtit sportiv
goal.com, tifozët kanë kryer një votim dhe mesfushori i
përfaqësueses shqiptare dhe njëkohësisht kapiteni i Olimpikut
të Marsejës është renditur i katërti në preferencat e tifozëve.
24-vjeçari kuqezi është renditur i katërti, pas Kristiano Ronaldos,
Kakasë, dhe Agurreos. Mesfushori shqiptar ka marrë të
njëjtën notë me tre lojtarët e vendit të parë, 7.05, por në tabelë
është vendosur i katërti. Ylli i Kombëtares shqiptare ka lënë
pas Lionel Mesin, Stiven Zherard, Raulin, Fabregasin dhe
shumë lojtarë të tjerë të njohur. Ai është vlerësuar maksimalisht
për grintën dhe për shpirtin luftarak që shfaqi gjatë sezonit
të kaluar. Ky është një tjetër vlerësim i tifozëve evropianë,
pas atij të bërë nga tifozët e Marsejës, që e cilësuan
Lorik Canën si lojtarin e vitit të Olimpik Marsejës.

No comments: